Trajtimi i fëmijëve me ADHD

Trajtimi i fëmijëve me ADHD

ADHD  nuk mund të shërohet por mund të menaxhohet me sukses. Profesionistët duhet të punojnë me prindërit e fëmijës për të zhvilluar një plan individual afatëgjatë. Qëllimi është që të ndihmojnë fëmijën të kontrollojë sjelljen e tij apo të saj dhe për të ndihmuar që në familje të ketë një atmosferë pozitive. Në shumicën e rasteve ADHD është trajtuar më mirë me një kombinim midis barnave dhe terapisë së sjelljes.

  • Barnat.

Disa lloje të ndryshme barnash mund të përdoren për të trajtuar ADHD. Barnat mund të ndikojnë në mënyra të ndryshme në fëmijë të ndryshëm, dhe një fëmijë mund të përgjigjet mirë ndaj një ilaçi por ndaj një tjetri jo. Përgjithësisht për trajtimin e individëve me ADHD përdoren stimuluesit, të tllë si; magneziumi, metilfenidati ose amfetaminat. Për arsye ende të papërcaktuara, disa medikamente që stimulojnë të rriturit kanë efekt të kundërt në fëmijët hiperaktivë.  

  • Dieta Feingold. 

Sipas një hipoteze shumë të njohur, hiperaktiviteti është në të vërtetë një reaksion toksik ndaj disa ushqimeve dhe eleminimi i këtyre ushqimeve nga dieta e fëmijës do të japë rezultat pozitiv. Sipas mjekut Benjamin Feingold, fëmija hiperaktivë duhet të vendoset në një dietë pa ngjyra dhe shije artificiale, mbrojtës BHT dhe BHA dhe aspirina, gjë që nuk është e lehtë pasi të gjitha  ushqimet gjysmë të gatshme të hedhura në treg, prodhime drithërash dhe të mishit, darka të ftohta, salca dhe mustarda, pastat e dhëmbëve dhe thuajse të gjitha ilaçet për fëmijë përmbajnë një ose më shumë nga përbërësit shtues të ndaluar. Feingold rekomandon gjithashtu se disa ushqime që përmbajnë salicilate natyrale të tilla si mollët, portokallet, trangujt, luleshtrydhet, domatet, çaji duhet të evitohen për disa fëmijë. Megjithatë ka studime që kundërshtojnë përdorimin e kësaj diete.

  • Terapia e sjelljes:

Në përgjithësi teknikat e terapisë së sjelljes duket se kanë më shumë sukses se ndërhyrjet kognitive në reduktimin e simptomave të ADHD-së. Terapia e sjelljes tenton të shpërndaj një kontigjent sjelljesh target të qëndrueshëm që përforcojnë sjellje të dëshirueshme pozitive dhe të eleminojnë sjelljet negative të padëshirueshme. Vazhdimësia e përforcimeve në shtëpi dhe shkollë është shumë e rëndësishme. Përforcimi pozitiv jepet kur fëmija kryen sjelljen e dëshirueshme, (arrin të mbarojë një detyrë në kohë). Disa terapistë rekomandojnë përdorimin e teknikës “Time-Out” dhe mospërdorimin e përforcimeve pozitive si një nevojshmëri për të reduktuar agresionin dhe mosbindjen.

Në fakt prindërit dhe mësuesit mund të bashkëpunojnë me terapistin për të vazhduar në të njëjtën linjë pune. Roli i psikologut në këtë situatë, është edhe të supervizojë përdorimin e teknikave nga ana e mësuesit dhe prindërve, dhe të monitorojë efikasitetin e terapisë në ndihmë të fëmijës.

  • Seanca psikoedukuese me prindërit:

Prindërit mund të ndihmojnë fëmijën e tyre me ADHD. Në një seancë psikoedukimi do të ishte efektive nëse prindërve do t`u jepej një informacion për mënyrën se si ata të sillen me fëmijën dhe rreth asaj që mund të bëjnë për fëmijën. Prindërit e fëmijëve me ADHD shfaqin më tepër sjellje urdhëruese, më tepër mosmiratime, më pak shpërblime dhe mbi të gjitha sjellje negative. Mjedisi familjar dhe aftësitë prindërore janë faktorë që ndikojnë në zhvillimin e aftësive të fëmijëve të lidhura me vet-kontrolin, rregullimin dhe organizimin. Për më tepër, nivelet më të larta të konflikteve prindërore në drejtim të vendimmarrjes, mbështetja dhe struktura e pakët familjare janë të lidhura me probleme të shfaqura së jashtmi duke përfshirë dhe ADHD.

  • Disa mënyra që duhen ndjekur lidhur me proçesin e të mësuarit:

1.    Mësuesi fillimisht e bën vetë detyrën që do t'i japë fëmijës dhe njëkohësisht shpjegon me detaje çdo hap të saj.

2.    Fëmija vepron sipas të gjitha udhëzimeve që jep mësuesi duke e shoqëruar me zë të lartë.

3.    Pasi kryen detyrën fëmija duhet të fillojë të flasë për hapat e saj, me ndihmën e mësuesit.

4.    Fëmija duhet të tregoj të gjitha udhëzimet që kishte marrë dhe mësuesi e ndjek (supervizon).

5.    Fëmija fillon të përsërisë detyrën, por këtë herë pa ndihmën e mësuesit.

Ndihma ndaj fëmijëve me hiperaktivitet duhet të jetë një kontribut i famijës por edhe i shkollës, si një ambjent ku kalohet një pjesë e mirë e kohës. Çelësi i suksesit së fëmijës me ADHD është pikërisht marrëdhënia midis mësuesit dhe prindërve. Mësuesit janë të parët që zakonisht i identifikojnë. Mësuesit dhe prindërit mund të punojnë sëbashku për të zgjidhur problemet dhe të planifikojnë mënyra se si të mbështesin të mësuarit e fëmijës si në shtëpi edhe në shkollë.

______________________________________________________________________________________________________

Referenca:

  • Foley, M. (2010), “A comparison of family adversity and family dysfunction in families of children with attention deficit hyperactivity disorder (ADHD) and families of children without ADHD9 ”, Journal for Specialists in Pediatric Nursing, USA
  • Ghanizadeh & Haghighi, (2010), “Child and Adolescent Psychiatry and Mental Health”
  • Kadri, H & Olumchev, N & Saveska, M & Sushevska, L. (2011),  “Analysis of subtypes and other associated conditions of attention deficit and hyperactivity disorder (ADHD) in School; Population from 6 to 12 years of age”, Scientific Journal of the Faculty of Medicine in Niš, Macedonia.
  • Kotowycz, N & Crampton, S & Steele, M. (2005), “Canadian Journal of Rural Medicine”