Sindromi  ASPERGER

Sindromi  ASPERGER

Sindromi i Asperger është një ndër çrregullimet neuro-zhvillimore i cili ka efekt mbi sjelljen e një individi, komunikimin dhe ndërveprimin shoqëror. Asperger është pjesë e çregullimeve zhvillimore të spektrit të autizmit. Individët me sindromën Asperger zakonisht kanë inteligjencë normale mbi mesataren, por gjithashtu kanë vështirësi në ndërveprimet shoqërore dhe shpesh kanë interesa në tema të veçanta.

Sindromi i Aspergerit është emëruar në nder të Dr. Hans Asperger, një pediatër austriak, i cili e përshkroi gjendjen, i pari. Dr. Asperger identifikoi katër djem të cilët karakterizoheshin nga: "mungesë empatie, ndërveprim social të pakët, fokusim në objekte dhe tema të caktuara". Shoqata Psikiatrike Amerikane (APA) njohu çrregullimin e Asperger si çrregullim specifik dhe kriteret e botuara diagnostike në Manualin Diagnostik dhe Statistikor të Çrregullimeve Mendore-IV (DSM-IV) në 1994.

Shkaqet:

Shkaqet e sindromës së Aspergerit nuk janë identifikuar, ndonëse besohet se ndikon një komponent i trashëguar (gjenetik). Disa  shkaqe të tjera mund të lidhen me ekspozimet toksike, teratogjenët, problemet me shtatzëninë ose lindjen dhe infeksionet prenatale. Këto ndikime mjedisore mund të veprojnë së bashku për të modifikuar ose potencialisht të rrisin ashpërsinë e defektit gjenetik themelor.

Simptomat:

  • Mungesa e vetëdijes sociale
  • Ndërveprim social i ulët (vështirësi në krijimin e shoqërisë dhe mbajtjen e saj)
  • Paaftësia për të shprehur mendimet, ndjenjat ose emocionet
  • Shmangia e kontaktit me sy
  • Vështirësi në ndryshimin e shprehive të  fytyrës (mimika faciale)  ose përdorimi i ekzagjeruar i tyre në mospërputhje me situatën
  • Vështirësi në njohjen e emocioneve që përjetojnë të tjerët
  • Mosrespektimi i kufijve ndërpersonal
  • Të ndjeshëm ndaj zhurmave, prekjes, aromave, shijeve ose stimujve vizualë
  • Mungesa e përdorimit ose e kuptimit të gjestikulacioneve
  • Pamundësia për të perceptuar sinjalet ose komunikimin joverbal
  • Mungesë fleksibiliteti dhe varësi nga rutina
  • Stereotipi dhe veprime të përsëritura motorike si përplasja e duarve ose lëvizja e krahëve
  • Probleme me koordinimin
  • Të folur “robotik”, përsëritje të vazhdueshme të fjalëve
  • Mund  të flasin në një mënyrë shumë monotone ose ritmike, me zë të lartë.
  • Individët me Asperger zakonisht kanë një fjalor të avancuar dhe aftësi gramatike të mira, por mund të mos jenë në gjendje të përdorin gjuhën në mënyrë të përshtatshme në situata shoqërore.
  • Aftësia për të kuptuar informacionin teknik ose faktik
  • Vështirësi për të kuptuar informacion abstrakt
  • Tendenca për t'u fokusuar në detaje, të cilat mund të rezultojnë në mungesën e vëzhgimit tërësor të çështjes.

Sot, shumë studiues theksojnë karakteristikat pozitive të individëve me sindromën Asperger të cilat përfshijnë: Aftësia për t'u përqëndruar në detaje; Aftësia për të punuar në mënyrë të pavarur; Mënyrë origjinale të të menduarit; Nivel të lartë të inteligjencës; Ndjenjë të theksuar për sinqeritet dhe drejtësi.

______________________________________________________________________________________________________

Referencat:

  • Myles, B &  Hagen, K & Holverstott, J & Hubbard, A & Adreon, D & Trautman, M. (2005), “Life Journey Through Autism: An Educator’s Guide to Asperger Syndrome”, Organization for Autism Research.
  • Saraswati, P. (2018), “A Review: Asperger Syndrome”, Dept Mental Health Nursing, J.S.S college of Nursing, Mysuru, India.