Si të trajtosh një fëmijë me disleksi

Si të trajtosh një fëmijë me disleksi

Disleksia është një ndër vështirësitë e të nxënit. Pavarësisht përhapjes së gjerë, ajo është pak e njohur në vendin tonë, pasi numri i studimeve të kryera është i kufizuar. Nëpërmjet këtij artikulli synohet paraqitja e një tabloje të përgjithshme mbi disleksinë, shkaqet neurobiologjike, karakteristikat themelore të disleksisë, si dhe një ndër mënyrat e trajtimit të saj, lastrat me ngjyrë.

Studimi i kryer është sasior. Ai është konceptuar në formën e një quasi-eksperimenti dhe ka për qëllim të eksplorojë efektin që kanë lastrat me ngjyrë te shpejtësia e të lexuarit tek fëmijët disleskik. Në studim morën pjesë 11 (N= 11) fëmijë të grupmoshës 8-11 vjeç, ku 9 prej tyre i përkasin gjinisë mashkullore dhe 2 gjinisë femërore. Fëmijët pjesëmarrës nuk u ndanë në grupe për shkak të numrit të vogël të kampionit. Të gjithë u bënë pjesë e trajtimit me lastra me ngjyrë. Për të matur efektin e lastrave me ngjyrë, u realizuan tre matje. Rezultatet treguan se përdorimi i tyre solli një rritje në shpejtësinë e të lexuarit tek fëmijët disleksik, pra tek numri i fjalëve të sakta që lexonin fëmijët në një minutë. Përdorimi i tyre mund të konsiderohet si një metodë alternative efektive, për trajtimin e fëmijëve disleksik.

Terma kyç: disleksi, lastra me ngjyrë, testi i shpejtësisë së të lexuarit (Wilkins), stresi vizual.

Hyrje

Disleksia është një vështirësi e të mësuarit që ndikon kryesisht në aftësinë për të lexuar saktë dhe  rrjedhshëm fjalët, si edhe në drejtshkrim (McLean & Arkell, 2009). Sipas një studimi të realizuar në Malajzi, prevalenca e disleksisë është 7% për 200 nxënës të shkollës fillore (Ghorbanbirgani & Hakim, 2013). Ata identifikohen më shumë përgjatë moshës 9-10 vjeç (Malins, 2009).

Disleksia ka baza gjenetike (Heilman & Thompson & Eskenazi, 2008). Disleksikët shfaqin një reduktim të aktivitetit të korteksit të majtë parietal-temporal (Adam & Hernandez & Hill & Hoeft & Gabrieli & Gayle & Keller & Martindale & McMillon & Meyler, & Siok & Whitfield, 2006). Një hipotezë tjetër pohon që disleksia shkaktohet nga defiçiti fonologjik (Reid, 2015).

Disa elementë që mund të vëzhgohen tek fëmijët disleksikë janë: kalimi i fjalëve ose rreshtave gjatë leximit, rileximi i të njëjtit rresht, lodhje dhe dhimbje koke (Johansson, 2012). Ata kanë vëshirësi në zgjidhjen e problemave në matematikë. Gjithashtu ngatërrojnë shkronjat “d” me “b”, “p” me “q”, “u” me “n” si dhe përmbysin fjalët (top - pot). Për rrjedhojë kanë shkrim dore të palexueshëm. Përpos vështirësive në të nxënë këta fëmijë zhvillojnë dhe probleme emocionale (The International Dyslexia Association, 2004), si vetëvlerësimi i ulët dhe mbyllja në vetvete (Reid, 2015). Pavarësisht vështirësive, shumë prej tyre mund të jenë talente në fusha të ndryshme  (Cramer 2014).  Pika më e fortë e tyre është intuita (Ward, 2005).

Trajtimi duhet të aktivizojë disa shqisa në të njëjtën kohë (Reid, 2007). Ekzistojnë disa metoda trajtuese për fëmijët disleksik. Ndër to mund të përmendim syzet me ngjyrë (Irlen, 2005), lastrat me ngjyrë dhe të punuarit me fonemat. Megjithatë ky artikull ka në fokus të punuarit me lastrat me ngjyrë. Kjo  metodë është bazuar në studime të ndryshme. Në një studim të realizuar nga Evans & Joseph (2002), raportohet se 100 nga 113 fëmijë pohonin që lastrat me ngjyrë rrisnin qartësinë e tekstit dhe reduktonin simptomat e stresit vizual. Sipas Wilkins (2003), 50% e fëmijëve shfaqnin përmirësim në lexim nga përdorimi i lastrave. Përdorimi i tyre përmirëson leximin por nuk ka ndikim në përmirësimin e kuptueshmërisë. (Costa & Fernandes & Junior & Guimaraes & Luis & Quieroz & Reis, 2016).

METODOLOGJIA

Studimi ka si qëllim të eksplorojë efektin që kanë lastrat me ngjyrë (colour overlays) te shpejtësia e të lexuarit tek fëmijët disleskik. Ai është mbështetur mbi dijet empirike që burojnë nga studime të ndryshme, të cilat kanë theksuar rëndësinë që kanë lastrat me ngjyrë në përmirësimin e të lexuarit. Ky studim u ngrit mbi një hipotezë të vetme: Përdorimi i lastrave me ngjyrë tek fëmijët disleksik, që kanë vështirësi me të lexuarin, rrit shpejtësinë e të lexuarit (numri i fjalëve që lexojnë në mënyrë korrekte, në një minutë)”.

Dizajni

Ky studim është konceptuar në formën e një quasi-eksperimenti, lloji Pre-test/Post-test (me tre matje), mbi një grup të vetëm. Në këtë rast kryhet një matje përpara manipulimit të variablit, një matje disa kohë pas manipulimit të variablit, dhe një në fund të kohës së manipulimit të tij. Shtimi i një matje pas ndërhyrjes së parë, ndihmon për të verifikuar nëse efekti i një programi trajtimi zbehet ose rritet me kalimin e kohës.

Kampioni

Objekt studimi janë fëmijët disleksik. Kampioni i përzgjedhur është i qëllimshëm dhe me gjykim. Të gjithë fëmijët u referuan nga psikologet e shkollave përkatëse. Gjithësej në studim janë përfshirë 11 fëmijë të grupmoshës 8-11 vjeç. Përkatësisht nga klasa e dytë deri në klasën e pestë. Është përzgjedhur me gjykim mosha 8 vjeç në mënyrë që fëmijët të kishin mësuar shkrim-këndim. U përzgjodh si kufi i sipërm moshor, mosha 11 vjeç për të qënë në përputhje me karakteristikat zhvillimore të një grupmoshe. 8 prej fëmijëve të marrë në studim janë nxënës të tre shkollave në Tiranë përkatësisht “Jeronin De Rada”, “Mustafa Greblleshi” dhe “Xhezmi Delli”. Ndërsa 3 fëmijë janë përzgjedhur nga dy shkolla në qytetin e Pogradecit, përkatësisht “Kolë Koci” dhe “Gjokë Shqiptari”. Kampioni i marrë në studim përbëhej nga 9 fëmijë të gjinisë mashkullore dhe 2 fëmijë të gjinisë femërore.

Materialet

Së pari, u aplikua një listë kontrolli për disleksinë, për të evidentuar cilat nga karakteristikat ishin më prezente te secili fëmijë. Ajo është e ndërtuar nga 39 pohime që përmbajnë në vetvete karakteristikat që shfaq një fëmijë me disleksi. Listë kontrolli është dizenjuar për fëmijët e moshës mbi shtatë vjeç. Së dyti, për të realizuar matjet gjatë periudhës së ndërhyrjes është përdorur testi i shpejtësisë së të lexuarit,  i hartuar nga Arnold Wilkins. Testi i shpejtësisë së të lexuarit përmban një numër prej 150 fjalësh të zakonshme pa lidhje logjike. Arsyeja e dizenjimit në këtë formë është për të shmangur të mësuarin përmendësh. Ai përdoret për të krahasuar efektet në të lexuar para dhe pas përdorimit të lastrave me ngjyrë. Në këtë test aftësia për të lexuar, vlerësohet në bazë të numrit të fjalëve të sakta të lexuara brenda një minute. Së treti,  u përdorën lastrat me ngjyrë gjatë fazës së ndërhyrjes.

Procedura

Psikologet shkollore mundësuan njohjen me rastet e fëmijëve që ishin identifikuar me disleksi. Gjithashtu u sigurua leja nga prindërit që mundësonte kryerjen e ndërhyrjes specifike me anë të lastrave me ngjyrë. Prindërve i’u është shpjeguar çdo gjë rreth disleksisë, avantazhet e trajtimit dhe disavantazhet e mostrajtimit të saj. Për këtë atyre iu ofrua një fletëpalosje. Më pas atyre i’u është shpjeguar e gjithë procedura e realizimit të ndërhyrjes por mbi të gjitha qëllimi i realizimit të saj, si edhe fakti se të gjitha të dhënat e mbledhura do të mbeteshin plotësisht konfidenciale.

Një hallkë e rëndësishme për realizimin e studimit janë edhe mësueset e fëmijëve. Ato u trajnuan që të realizonin ndërhyrjen dy ditë të javës, pasi për studjueset ishte e pamundur realizimi i ndërhyrjes në pesë ditë të javës për shkak të distancës fizike dhe gjeografike të shkollave. (Studjueset kanë punuar tre ditë të javës nga 60 minuta). Mësueseve i’u propozua që të punonin 60 minuta për gjatë gjithë procesit mësimor për shkak të numrit të madh të nxënësve.

Para se të fillonte ndërhyrja me lastrat me ngjyrë, u realizua matja e parë. Numri i fjalëve të sakta të lexuara nga secili fëmijë, në një minutë, u mbajt shënim. Më pas secili prej fëmijëve përzgjodhi ngjyrën e lastrës që preferonte më tepër. U bënë disa prova me lastra të ndryshme për të evidentuar ngjyrën që ishte më efektive. Pas përzgjedhjes së lastrës, gjatë javës së parë u procedua me leximin e fjalëve të thjeshta. Më pas u kalua në punimin me fjali të shkurtra. Në mënyrë graduale u kalua nga fjalitë drejt paragrafëve të shkurtër. Gjatë kohës kur lexonte, fëmija mbante lastrën mbi faqen e librit. Pas katër javësh punë u realizua matjen e dytë për të parë ecurinë e punës dhe efektin e përdorimit të lastrës me ngjyrë. Matja e tretë dhe e fundit, është realizuar pas një periudhe 9 javore pune (E gjithë ndërhyrja është realizuar në një hark kohor prej 9 javësh). Edhe në këtë matje si instrument matës u përdor testi i shpejtësisë së të lexuarit, i hartuar nga Arnold Wilkins.

REZULTATE DHE DISKUTIME

Ky studim synoi të evidentonte nëse lastrat me ngjyrë kishin një efekt pozitiv në përmirësimin e të lexuarit. Përdorimi i lastrave me ngjyrë është një metodë trajtuese pak e njohur në Shqipëri për fëmijët disleksik. Kjo u konstatua dhe nga konsultimi me mësuesit përkatës të secilit prej fëmijëve, të cilët nuk kishin informacion rreth përdorimit të kësaj metode. Efektiviteti i përdorimit të lastrave me ngjyrë u konstatua nga rezultatet e nxjerra në përfundim të një periudhe nëntë javore ndërhyrje. Shpejtësia e të lexuarit u mat nëpërmjet përdorimit të testit të shpejtësisë të Wilkins. Testi është përdorur vetëm gjatë kryerjes së tre matjeve. Kjo për arsyen e shmangies së mësimit përmendësh të fjalëve të testit dhe ndikimit më pas në rezultatin përfundimtar. Nga rezultatet u evidentua se minimumi i fjalëve të sakta të lexuara për një minutë, në matjen e parë, është 3 ndërsa maksimumi është 85. Për matjen e dytë, minimumi është 5 ndërsa maksimumi 103. Për matjen e tretë, minimumi është 7 ndërsa maksimumi është 118 fjalë të lexuara në mënyrë korrekte për një minutë. Ajo që u evidentua është që  fëmijët e moshës 9-10 vjeç, lexojnë një numër me të lartë fjalësh të sakta krahasuar me fëmijët e tjerë. Këto vlera tregojnë që ka një rritje të numrit të fjalëve të sakta të lexuara për një minutë nga njëra matje te tjetra. Për këtë arsye e arrit në përfundimin që “Përdorimi i lastrave me ngjyrë tek fëmijët disleksik që kanë vështirësi me të lexuarin, rrit shpejtësinë e të lexuarit (numri i fjalëve që lexojnë në mënyrë korrekte në një minutë). Lastrat me ngjyrë sollën rezultate të ndryshme tek subjektet e marrë në studim. Kjo tregon sesa të veçantë janë fëmijët në ritmin e zhvillimit. Megjithatë të gjithë fëmijët patën një rritje të numrit të fjalëve të sakta të lexuara në një minutë. Kjo vërtetohet nga mesatarja e numrit të saktë të fjalëve të thëna nga matja e parë në të dytën dhe nga matja e dytë në të tretën. Mesatarja për matjen e parë është 25, 64 ( x̅ = 25. 64 ). Mesatarja për matjen e dytë është 28. 73 ( x̅ = 28. 73). Ndërsa mesatarja për matjen e tretë është 33. 64 (x̅ = 33. 64).

Gjithashtu këtë gjë e vërteton edhe domethënia statistikore. Për matjen e parë sigma (2- tailed) është .026 (P= .026), për matjen e dytë sigma (2- tailed)  është e barabartë me .022 (P= .022), ndërsa për matjen e tretë sigma (2- tailed) është .016 (P= .016). Për 95% të rasteve ky rezultat është domethënës statistikisht çfarë tregon se diferenca në matje i atribuohet ndërhyrjes së kryer dhe jo rastësisë.. Kjo vërtetohet qartësisht dhe te studimi ynë, pasi në të treja matjet sigma (P< .05). Pra mund të arrijmë në përfundimin se përdorimi i lastrave ka rezultuar efektiv.

 Pothuajse të gjithë fëmijët shfaqnin vështirësi në lexim, shkrim jo të rregullt, shkrim mbrapsht të shkronjave dhe numrave. Ajo që u evidentua ishte që të gjithë fëmijët nuk kuptonin atë që lexonin. Gjithashtu arritjet e tyre akademike ishin të ulta. Edhe në rastet kur ata e dinin përgjigjen e pyetjes, hezitonin të përgjigjeshin, për shkak të frikës së dhënies së një përgjigjeje të gabuar. Arsye tjetër ishte edhe gjykimi nga bashkëmoshatarët. Si rrjedhim, vetëm disa prej tyre kishin ndërveprim social. Gjithashtu është marrë feedback se si ka qënë për mësueset puna me lastrat në klasë, mundësisë që ato kanë për t’a aplikuar këtë metodë dhe me sa fëmijë mund të punojnë.

Është marrë informacion edhe për faktin nëse ato kanë vënë re ndryshime tek leximi i fëmijëve dhe nëse e vlerësojnë të suksesshme ndërhyrjen me lastra. Mësueset janë shprehur se procedura e aplikimit të metodës ka qënë e thjeshtë, por numri i lartë i nxënësve me të cilët ato punojnë, e ka bërë të vështirë menaxhimin e klasës dhe punën me fëmijën disleksik, njëkohësisht. Një nga mësueset është shprehur: “Metoda e lastrave me ngjyrë është e thjeshtë për t’u aplikuar dhe duket efektive, por unë kam një numër të lartë nxënësish në klasë dhe nuk mund të punoj individualisht me një fëmijë, do më ndihmonte të kisha një mësuese ndihmëse të trajnuar nga psikologia”. Ato pohojnë se metoda e lastrave me ngjyrë ka sjellë një përmirësim në lexim.

LIMITET E STUDIMIT

Një nga limitet më të dukshme të këtij studimi është numri i vogël i subjekteve të përfshira në studim, N=11. Si rrjedhim nuk mund të përgjithësohen rezultatet. Për shkak të numrit të kufizuar të kampionit nuk ishte  e mundur, që përveç grupit të eksperimentit të kishim një grup krahasues. Një limit tjetër është koha e shkurtër e realizimit të quasi-eksperimentit. Ndërhyrja do të rezultonte edhe më efektive nëse do të kryhej për një periudhë gjashtë mujore (Irlen & Robinson, 1996).  Ndërkohë që ndërhyrja që studjueset realizuan zgjati nëntë javë. Gjithashtu do të kishte qënë më efektive nëse lastrat me ngjyrë do të përdoreshin edhe në ambjentet e shtëpisë. Fokusimi tek aftësia e të lexuarit është një tjetër limit. Duke qënë se hipoteza e ngritur në fillim të punimit ishte se “Përdorimi i lastrave me ngjyrë tek fëmijët disleksik që kanë vështirësi me të lexuarin, rrit shpejtësinë e të lexuarit (numri i fjalëve që lexojnë në mënyrë korrekte në një minutë”, puna u përqëndrua vetëm tek aftësia e të lexuarit duke anashkaluar aftësi të tjera si: aftësitë matematikore, sjellja, krijimtaria etj. Së fundmi, kampioni është i qëllimshëm pasi është marrë në zona specifike, aty ku kemi patur akses dhe miratimin e prindërve gjithashtu

KONKLUZIONE:

Duke u bazuar në rezulatet e marra nga matjet statistikore u arrit në përfundimin se lastrat me ngjyrë janë efektive për fëmijët disleksik, të cilët preferojnë lastra me ngjyra të ndryshme. Përdorimi i tyre rrit numrin e fjalëve të lexuara saktë.  Ajo që u evidentua ishte se leximi dhe shkrimi i gërmave në mënyrë të gabuar është vetëm një manifestim i disleksisë por që shoqërohet edhe me karakteristika të tjera në fusha të ndryshme.

______________________________________________________________________________________________________

Referencat: 

  1. 1.Adam, M. & Hernandez, A. & Hill, H. &  Hoeft, F. & Gabrieli, J. & Gayle, K. & Keller, T. & Martindale, J. & McMillon, G. & Meyler, A. & Siok, W. & Whitfield, S. (2006), Neural basis of dyslexia: A comparison between dyslexic and nondyslexic children equated for reading ability, The Journal of Neuroscience, California.
  2. Costa, C. & Fernandes, A. & Junior, B. & Guimaraes, R. & Luis, J. & Quieroz, R. & Reis, M. (2016), “Coloured overlays improve reading performance in people suffering from vissual stress”, Brazil.
  3. Cramer, Sh. (2014), “Dyslexia International; beter training, better teaching”, Duke University, Washington.
  4. Evans, BJ. & Joseph, F. (2002), “The effect of coloured filters on the rate of reading in an adult student population”, The College of Optometrists, London.
  5. Ghorbanbirgani, A. & Hakim, A. (2013), “Prevalence of dyslexia among male students in primary schools and its relationship with obesity and being overweight in Avaz”, Iran.
  6. Heilman, M. & Thompson, K. & Eskenazi, M. (2008), “An analysis of statistical models and features for reading difficulty prediction”, Carnegie Mellon University, USA.
  7. Irlen, H. (2005), “Reading by the colours”, Avery, New York
  8. Irlen, H. & Robinson, GL. (1996), “The effect of Irlen coloured filters on adult perception of workplace performance: a preliminary survey”, Australian Journal of Remedial Education
  9. Johansson, H. (2012), Dyslexia: Assessment and examination of dyslexic students”, Malmö högskola, Sweden.
  10. Malins, Ch. (2009), “The use of coloured filters and lenses in the management of children with reading difficulties, Mind matters psychology. 
  11. McLean, B. & Arkell, H. (2009), Dyslexia: Information for teachers and other professionals,Barrington Stoke, UK.
  12. Reid, G. (2007), “Dyslexia identification and assessment – Issues and perspectives”, David Fulton Publishers, London.
  13. Reid, G. (2015), “Dyslexia: An overview of recent research”, College of Psychologis of British Columbia, Canada.
  14. The International Dyslexia Association. (2004), Social and emotional problems related to dyslexia, Baltimore.
  15. Ward, L. (2005), “Dyslexia and the unniversity”, Canadian Dyslexia Centre (CDC) Inc. Canada.
  16. Wilkins, AJ. (1996), “Rate of reading test”, The College of Oplometrisls, UK.