Shkaqet e mundshme të ADHD

Shkaqet e mundshme të ADHD

Shkaqet specifike të ADHD janë të panjohura. Megjithatë ka një numër faktorësh që mund të kontribuojnë ose përkeqësojnë ADHD.  Këta faktorë përfshijnë:

Faktorët mjedisorë

Disa studiues e lidhin zhvillimin e ADHD-së edhe me shikimin e tepërt të televizorit në moshë të hershme, gjë që sjell mungesë të vëmendjes më vonë.

Faktorët gjenetikë

ADHD është një çrregullim që pritet të ketë një komponent gjenetik që e ka shkaktuar. Studiuesit kanë gjetur zona të caktuara të trurit të cilat janë 5-10% më të vogla në madhësi te fëmijët me ADHD. Pasardhësit e të rriturve që kanë pasur një histori të ADHD-së në fëmijërinë e tyre janë në rrezik të lartë për zhvillimin e  këtij çrregullimi.

Gjithashtu anomalitë në kodimin gjenetik të proteinave duke përfshirë funksionimin e dopaminës në sistemin nervor qendror, norepinefrina ose edhe nivelet e ulta të serotoninës, në një mënyrë paraprake përbëjnë një etiologji për shfaqjen e ADHD. Shkencëtarët tregojnë se një pjesë e madhe e personave lindin me ADHD nga një kombinim jo i saktë i gjeneve të ndryshme, shumë prej të cilëve ndikojnë në transportimin e dopaminës.

Gjenet kandidate përfshijnë receptorin alfa2 adrenergic, transportuesin dopaminë, receptorët dopaminë D2/D3. Një variant i përbashkët i një gjeni i quajtur LPHN3 vlerësohet  të jetë përgjegjës për rreth 9% të rasteve me ADHD. Studimet më të fundit kanë treguar se ka probleme edhe me neurotrasmetuesit të njohur si katekolaminat, por se në çfarë mënyre ndikojnë në shfaqjen e ADHD, ende nuk dihet.

Studimet neuro-imazherike të fëmijëve me ADHD kanë treguar një madhësi të zvogëluar të korteksit paraballor për këtë arsye nuk janë të prirur të realizojnë disa veprime që janë të lidhura me funksionet ekzekutive paraballore, të tilla si frenimi i përgjigjes dhe kujtesa e punës.

Komplikacionet prenatale

Disa nga shkaktarët e mundshëm prenatalë mund të jenë:

  1. Shëndeti i varfër i nënës gjatë shtatzanisë;
  2. Mosha e re e nënës gjatë shtatzanisë (p.sh nën 20 vjeç);
  3. Postmaturimi (kapërcimi i 40 javëve të shtatzanisë);
  4. Toksikimi i nënës gjatë periudhës prenatale;
  5. Përdorimi i alkoolit ose i duhanit gjatë shtatzanisë.

______________________________________________________________________________________________________

Referenca:

  • Foley, M. (2010), “A comparison of family adversity and family dysfunction in families of children with attention deficit hyperactivity disorder (ADHD) and families of children without ADHD9 ”, Journal for Specialists in Pediatric Nursing, USA
  • Ghanizadeh & Haghighi, (2010), “Child and Adolescent Psychiatry and Mental Health”
  • Kadri, H & Olumchev, N & Saveska, M & Sushevska, L. (2011),  “Analysis of subtypes and other associated conditions of attention deficit and hyperactivity disorder (ADHD) in School; Population from 6 to 12 years of age”, Scientific Journal of the Faculty of Medicine in Niš, Macedonia.
  • Kotowycz, N & Crampton, S & Steele, M. (2005), “Canadian Journal of Rural Medicine”