Diskalkulia

Diskalkulia

Diskalkulia është një vështirësi e të nxënit në matematikë. Fëmijët me diskalkuli mund të kenë vështirësi në kuptimin e koncepteve që lidhen me numrin dhe përdorimin e simboleve në matematikë. Megjithatë, problematika nuk qëndron vetëm në shkollë por krijon vështirësi edhe në jetën e përditshme. Avantazhi është se ka mbështetje dhe strategji të ndryshme që mund t'i ndihmojnë fëmjët me diskalkuli.

Çfarë është Diskalkulia?

Diskalkulia është një gjëndje e vazhdueshme që vështirëson kryerjen e detyrave në matematikë për fëmijët. Ekspertët ende nuk e pohojnë me siguri nëse diskalkulia është më e zakonshme tek  vajzat apo djemtë. Fëmijët me këtë vështirësi në të nxënë kanë probleme në shumë aspekte të matematikës. Shpesh nuk kuptojnë sasitë apo konceptet si “më i madh”, “më i vogël”. Ata nuk mund ta kuptojnë se numri 5 është i njëjtë me fjalën pesë. Për shembull, ata mund të kenë të vështirë mbajtjen mend të numrave ndërsa kryejnë probleme matematike me hapa të shumëfishtë. Diskalkulia mund të shkaktojë lloje të ndryshme të vështirësive në matematikë. Por, simptomat mund të ndryshojnë nga fëmija në fëmijë.

             Shkaqet:

  • Gjenet: Hulumtimet tregojnë që gjenetika luan një rol të rëndësishëm në evidentimin e diskalkulisë.
  • Zhvillimi i trurit: Studimet imazherike të trurit kanë treguar disa dallime në funksionimin dhe strukturën e trurit tek individët me diskalkuli. Dallimet janë në sipërfaqen, trashësinë dhe vëllimin e pjesëve të caktuara të trurit. Ekzistojnë gjithashtu dallime në aktivizimin e zonave të trurit që lidhen me përpunimin numerik dhe matematikor. Këto fusha lidhen me aftësitë kyçe të të nxënit, të tilla si kujtesa dhe planifikimi.
  • Mjedisi: Diskalkulia ka qenë e lidhur me sindromën e alkoolit të fetusit. Fëmijët të lindur para kohe dhe pesha e ulët e lindjes mund të ndikojnë gjithashtu.
  • Dëmtimi i trurit: Studimet tregojnë se dëmtimi i pjesëve të caktuara të trurit mund të rezultojë në atë që studiuesit e quajnë diskalkuli të fituar.

              Simptomat:

  • Ka vështirësi në njohjen e simboleve të numrit (duke ditur se "7" do të thotë shtatë).
  • Ka vështirësi për të mësuar dhe për të kujtuar faktet themelore të matematikës, si për shembull 2 + 4 = 6.
  • Shfaq vështirësi në identifikimin dhe përdorimin në mënyrë korrekte të shenjave  “+, - “.
  • Mund të përdorë ende numërimin me gisht në vend të përdorimit të strategjive më të avancuara matematikore.
  • Shfaq vështirësi për të kuptuar shprehjet që lidhen me matematikën, të tilla si “më e madhe se” dhe “më pak se”.
  • Ka vështirësi në shkrimin e numrave në mënyrë të qartë ose duke i vendosur në kolonën e duhur.
  • Shfaq vështirësi në kuptimin e koncepteve të vlerës, sasisë, rendit të numrave, vlerave pozitive dhe negative, mbajtjes dhe huazimit.
  • Ka vështirësi për të kuptuar dhe kryer problemat matematikore të cilat përmbajnë fjalë.
  • Ka vështirësi në kuptimin e thyesave
  • Ka vështirësi në përllogaritjen e lekëve.
  • Ka vështirësi në mbledhje, zbritje, shumëzimit dhe pjestimit
  • Ka vështirësi në kuptimin e koncepteve që lidhen me kohën siç janë ditët, javët, muajt, stinët, lagjet etj.

Strategji trajtimi:

  • Përdorimi i diagrameve dhe vizatimi i koncepteve matematikore
  • Ndihma e bashkëmoshatare
  • Përdorimi i lapsave me ngjyra për të dalluar problemet
  • Vizatimi i figurave në problemet matematikore

            Referencat:

  • Kaufmann, L &  Aster, M. (2012), “The Diagnosis and Management of Dyscalculia”,  Deutsches Ärzteblatt International.
  • Khing, B. (2016), “Dyscalculia: Its Types, Symptoms, Causal Factors, and Remedial Programmes”,  New Delhi Publishers.
  • Price, G & Ansari, D. (2013), “Dyscalculia: Characteristics, Causes, and Treatments”, University of South Florida.