Çrregullimi i Vëmendjes me Hiperaktivitet (ADHD)

Çrregullimi i Vëmendjes me Hiperaktivitet (ADHD)

Fëmijët me ADHD kanë mungesë të theksuar përqëndrimi, janë të lëvizshëm, shpërqendrohen shpejt, janë të rrëmbyer e shfaqin rezultate të ulta në mësime. Ështe një ndër çregullimet më të njohura i cili prek pothuajse të gjitha moshat. Ndryshe njihet si çrregullimi hiperaktiv i mungesës së vëmendjes (ADHD). Djemtë e diagnostikuar me hiperaktivitet në krahasim me vajzat janë në raportin 3 me 1. Disa mjekë janë të mendimit që vajzat preken nga ADHD po aq sa dhe djemtë, por shpesh ato nuk diagnostikohen. DSM-V raporton një prevalencë prej 3% -7% në fëmijët e moshës shkollore. Çrregullimi është më i zakonshëm tek djemtë sesa tek vajzat, në një raport që varion nga 5:1 në 6:1.

Një fëmijë hiperaktiv është tepër aktiv, impulsiv, i shpërqëndruar dhe i axhituar, veçanërisht në kohën dhe vendin e gabuar. Rreth 5 % e të gjithë fëmijëve të moshës shkollore janë konsideruar hiperaktivë nga prindërit e tyre, mësuesit ose mjekët pediatër dhe rreth 1 % janë konsideruar hiperaktivë nga të tre.

Hiperaktiviteti shfaqet herët në jetë: shumë nga fëmijët hiperaktivë, që të rritur, ia dilnin të prishnin krevatin e kukullave që vëllezërit apo motrat më të rritur e kishin përdorur pa e prishur atë ose ata duken të jenë më afër aksidenteve sesa bashkëmoshatarët e tyre. Megjithatë, fëmijët zakonisht nuk janë emërtuar "hiperaktivë" deri në shkollën fillore, kohë në të cilën bëhet e dukshme që ata nuk mund të rrinë qetësisht në një vend dhe të përqëndrohen në mësim. Shumë fëmijë hiperaktivë kanë edhe vështirësi në të mësuar.

Sipas manualit diagnostikor dhe statistikor të çrregullimeve mendore (DSM-V) simptomat shfaqen përpara moshës 7-vjeçare. ADHD është një çrregullim kronik, rreth 30-50% e personave të cilët janë diagnostikuar në fëmijëri vazhdojnë të kenë simptoma edhe në moshën e rritur. Fëmijët me ADHD mund të kenë një histori të gjatë të vështirësive të kontrollit mbi motorikën si dhe shfaqje në nivele të larta të aktivitetit motor. Në disa raste fëmijët me ADHD shfaqin sjellje pozitive. Ata janë optimistë, kreativë dhe me fantazi, të ndjeshëm, kanë ndjenjë të theksuar për drejtësi, janë të këndshëm dhe me humor.

Duket sikur numri i fëmijëve që diagnostikohen me hiperaktivitet është më i madh sot se në të shkuarën. Kërkimet tregojnë se kjo rritje është për shkak të përforcimit të njohjes të këtij çregullimi dhe diagnostikimit në kohë edhe tek fëmijët që mund të paraqesin forma më të lehta të hiperaktivitetit.

Në përgjithësi, studimet sugjerojnë se disa nga simptomat e ADHD- veçanërisht hiperaktiviteti - priren drejt reduktimit/uljes me kalimin e kohës, por që çrregullimet e vëmendjes janë të vazhdueshme. 50-80% e fëmijëve hiperaktivë vazhdonin të tregonin simptoma të hiperaktivitetit, impulsivitetit dhe shpërqëndrimit edhe në adoleshencë, zakonisht të shoqëruara nga performanca e ulët akademike, depresioni, vetëvlerësimi i ulët dhe ndërveprime të pakta me bashkëmoshatarët.

______________________________________________________________________________________________________

Referenca:

  • Foley, M. (2010), “A comparison of family adversity and family dysfunction in families of children with attention deficit hyperactivity disorder (ADHD) and families of children without ADHD9 ”, Journal for Specialists in Pediatric Nursing, USA
  • Ghanizadeh & Haghighi, (2010), “Child and Adolescent Psychiatry and Mental Health”
  • Kadri, H & Olumchev, N & Saveska, M & Sushevska, L. (2011),  “Analysis of subtypes and other associated conditions of attention deficit and hyperactivity disorder (ADHD) in School; Population from 6 to 12 years of age”, Scientific Journal of the Faculty of Medicine in Niš, Macedonia.
  • Kotowycz, N & Crampton, S & Steele, M. (2005), “Canadian Journal of Rural Medicine”