Çfarë është çrregullimi nxitës i kundërshtimit

Çfarë është çrregullimi nxitës i kundërshtimit

Çrregullimi nxitës i kundërshtimit (ÇNK) është një ndër çrregullimet e sjelljes. Ky është një ndër çrregullimet më të zakonshme të shëndetit mendor tek fëmijët dhe adoleshentët. Profesionistët e përcaktojnë atë si një model të mosbindjes, sjellje armiqësore kundrejt figurave autoritare. Fëmijët dhe adoleshentët me ÇNK shpesh rebelohen, janë kokëfortë, debatojnë me të rriturit, dhe refuzojnë të binden. Ata kanë shpërthime të inatit dhe e kanë shumë të vështirë të kontrollojnë temperamentin e tyre. Edhe fëmijët me sjelljen më të mirë mund të jenë ndonjëherë jo bashkëpunues dhe armiqësor, veçanërisht adoleshentët, por ata me ÇNK tregojnë një model të vazhdueshëm të zemërimit dhe sjelljes verbale agresive, zakonisht kundrejt prindërve dhe figurave autoritare.

Sjelljet më të zakonshme që fëmijët dhe adoleshentët me çrregullimin nxitës të kundërshtimit shfaqin, janë:

• Mosbindje

• Dashakeqësi

• Negativitet

• Armiqësi dhe Agresion Verbal

Ky çrregullim nëse nuk trajtohet, mund të bashkëshoqërohet edhe me çrregullime të tjera. Fëmijët me ÇNK të cilët nuk trajtohen janë në risk për abuzim me substancat dhe kryerjen e sjelljeve delikuente.

Sa i përhapur është çrregullimi nxitës i kundërshtimit?

Ekzistojnë një sërë vlerësimesh se sa fëmijë dhe adoleshentë kanë ÇNK. Provat sugjerojnë se nga 1 deri në 16 përqind e fëmijëve dhe adoleshentëve kanë ÇNK. Megjithatë, nuk ka shumë informacion mbi përhapjen e ÇNK tek fëmijët parashkollorë. ÇNK zakonisht shfaqet në përfundim të ciklit parashkollor ose në fillim të ciklit fillor. Tek fëmijët e vegjël, ÇNK është më i zakonshëm tek djemtë sesa vajzat. Megjithatë, tek fëmijët dhe adoleshentët në moshë shkollore nuk ka diferenca gjinore. Çrregullimi duket sikur shfaqet më shpesh në grupet me status socio-ekonomik të ulët, por realisht ai prek të gjitha kategoritë e shoqërisë.

Çfarë e shkakton ÇNK?

Nuk ka asnjë shkak të qartë të ÇNK. Sidoqoftë, shumica e ekspertëve besojnë se një kombinim i faktorëve biologjik, psikologjik dhe shoqëror luajnë një rol në zhvillimin e ÇNK.

Faktorët biologjikë

Fëmijët dhe adoleshentët janë më të prirur për zhvillimin e ÇNK nëse kanë:

• Një prind me një histori të mungesës së vëmendjes / çrregullimit të hiperaktivitetit (ADHD), ÇNK, ose çrregullim sjellje

• Një prind me çrregullime të humorit (siç është depresioni ose çrregullimi bipolar)

• Një prind që ka një problem me abuzimin e alkoolit ose me substancat

• Dëmtim në pjesën e trurit, përgjegjëse për arsyetimin, gjykimin dhe kontrollin e impulsit

•Duhanpirja gjatë shtatëzanisë

• Ekspozimi ndaj toksinave

• Kequshqyerja

Faktorët psikologjikë

• Marrëdhënie e dobët me njërin prind ose të dy

• Një prind neglizhues ose që nuk është prezent në jetën e fëmijës

• Vështirësi në krijimin e marëdhënieve sociale

Faktorët social

• Varfëria

• Mjedisi kaotik

• Abuzimi

• Neglizhimi

• Mungesa e mbikëqyrjes

• Prindërit që nuk kanë të njëjtën linjë disipline kundrejt fëmijës

• Paqëndrueshmëri familjare (siç është divorci ose lëvizje të shpeshta gjeografike)

Cilat janë simptomat e ÇNK?

Shumica e fëmijëve debatojnë me prindërit dhe kundërshtojnë autoritetin herë pas here, sidomos kur janë të lodhur, të uritur ose të mërzitur. Disa nga sjelljet e lidhura me ÇNK, gjithashtu mund të shfaqen tek fëmijët që janë duke kaluar një tranzicion, të cilët janë në stres, ose që janë duke përjetuar një krizë. Prindërit e kanë të vështirë që të identifikojnë nëse këto simptoma lidhen me ÇNK apo me sjellje të shkaktuara nga situata stresante. Fëmijët me ÇNK tregojnë një model të vazhdueshëm të negativitetit, armiqësisë dhe kundërshtimit ekstrem që:

• Është konstant

• Zgjat të paktën 6 muaj

• Shfaq sjellje që nuk janë të përshtatshme për moshën e fëmijës

• Është kundërshtues në familje dhe në shkollë

• Drejtohet zakonisht drejt një figure autoriteti (prindër, mësues, drejtor, trajner)

Simptomat të sjelljes që shoqërohen me ÇNK:

• Shpërthime të shpeshta të inatit

• Debate të shpeshta me të rriturit

• Refuzim në mënyrë të vazhdueshme për të përmbushur kërkesat dhe rregullat

• Vendosin në diskutim rregullat

• Bezdisin dhe mërzitin të tjerët me qëllim

• Preken ose mërziten lehtësisht nga të tjerët

• Fajësimi i të tjerëve për gabimet e tyre

• Shpërthime të shpeshta të zemërimit dhe pakënaqësisë

• Dashakeqës dhe hakmarrës

Vajzat me ÇNK mund të shfaqin agresivitetin e tyre më tepër përmes fjalëve sesa veprimeve dhe në mënyra të tjera indirekte. Vajzat kanë më tepër tendencë që të gënjejnë dhe të mos jenë bashkëpunuese, ndërsa djemtë kanë më shumë mundësi që të humbasin qetësinë dhe të debatojnë me të rriturit.

A mund të bashkëshoqërohet ÇNK me çregullime të tjera?

Shumë fëmijë të cilët diagnostikohen me ÇNK mund të kenë dhe problematika të trajtueshme të shendetit mendor dhe vështirësi në të nxënë. Disa nga çregullimet bashkëshoqëruese me ÇNK janë:

• ADHD (çrregullimi i vëmendjes dhe hipeaktivitetit)

• Çrregullime të ankthit

• Çrregullime të humorit (të tilla si depresioni dhe çrregullimi bipolar)

• Vështirësi në të nxënë

• Çrregullime gjuhësore

Burimi original i informacioit : www.aacap.org